Rama njofton tërheqjen nga ligji për investimet strategjike: Po hartojmë një kuadër të ri me BE
Kryeministri njoftoi se ligji i investimeve strategjike nuk do të vijojë më, ndërsa po punohet për një ligj të ri në bashkëpunim me Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do të tërhiqet nga Ligji për Investimet Strategjike, një akt që prej vitesh është kritikuar nga Bashkimi Europian dhe që së fundmi është vënë në qendër të debatit publik pas kundërshtimeve ndaj projektit turistik në Zvërnec.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference për shtyp me media europiane, Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka më nevojë për një ligj të tillë, pasi vendi tashmë po tërheq investime të rëndësishme dhe investitorë të mëdhenj pa pasur nevojë për lehtësitë e parashikuara në këtë kuadër ligjor.
“Tashmë nuk na duhet më një ligj për investime strategjike sepse kapitali po hyn dhe investuesit e mëdhenj po vijnë dhe në fakt nuk duan t'ja dinë për lehtësira. Duan natyrisht status të mbrojtur e kështu me radhë, por nuk kemi probleme me këtë. Kam përshtypjen që është pjesë e kuadrit negociator dhe po punojmë tashmë për një ligj të ri për investimet, kështu që po punojmë me Bashkimin Europian për këtë”, deklaroi Rama.
Kryeministri mbron efektet e ligjit
Pavarësisht vendimit për të mos e vijuar më këtë instrument, kryeministri mbrojti rezultatet që sipas tij ka sjellë ligji gjatë viteve të zbatimit.
“Kurrë nuk ka qenë i padrejtë për të thënë këtë gjë fillimisht dhe shumë njerëz që flasin për këtë as nuk e dimë për ç'flasin. Ligji për investime strategjike na ka ndihmuar të sjellim në këtë vend më në fund disa investime që përndryshe nuk do të kishin ndodhur”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, ligji ka luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e kapitalit dhe në nxitjen e projekteve të mëdha në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
Një ligj i përkohshëm që u zgjat gjashtë herë
Ligji për Investimet Strategjike u miratua fillimisht në vitin 2015 me një afat trevjeçar dhe kishte si objektiv promovimin e investimeve në sektorë prioritarë si turizmi, energjia, transporti, bujqësia dhe zonat teknologjike.
Megjithëse ishte konceptuar si një mekanizëm i përkohshëm, afati i tij është zgjatur gjashtë herë gjatë viteve të fundit, me argumentin se kishte ende interes të lartë nga investitorët vendas dhe të huaj. Aktualisht, ligji parashikohet të mbetet në fuqi deri në fund të vitit 2026.
Kritikat e Bashkimit Europian
Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht shqetësime për zgjatjen e afatit të ligjit në raportet e progresit për Shqipërinë. Kritikat janë fokusuar kryesisht te ndikimet e mundshme në mjedis dhe te mundësia që projektet e investimeve të zhvillohen në zona të ndjeshme ose të mbrojtura.
Debati është intensifikuar veçanërisht pas kundërshtimeve ndaj projektit turistik në Zvërnec, ku grupe qytetarësh dhe organizata mjedisore kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit dhe rishikimin e politikave që lidhen me investimet në zonat e mbrojtura.
Me nisjen e punës për një ligj të ri në bashkëpunim me Bashkimin Europian, qeveria synon të krijojë një kuadër të ri ligjor që të jetë në përputhje me standardet europiane dhe me kërkesat e procesit të integrimit.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)